Akar: Janë goditur nga toka dhe ajri mbi 200 shënjestra të regjimit të Assadit në Idlib

"Janë goditur nga toka dhe ajri mbi 200 shënjestra të regjimit të Assadit në Idlib të Sirisë pas sulmit të pabesë", tha ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar
Akar: Janë goditur nga toka dhe ajri mbi 200 shënjestra të regjimit të Assadit në Idlib

Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, tha se pas sulmit ndaj ushtarëve turq në Idlib të Sirisë, janë goditur nga toka dhe ajri mbi 200 shënjestra të regjimit të Assadit, duke neutralizuar mbi 300 ushtarë të regjimit, raporton Anadolu Agency (AA).

Akar bashkë me bashkë me Komandantin e Forcave Tokësore, Gjeneralin Ümit Dündar dhe Komandantin e Forcave Ajrore, Gjeneralin Hasan Küçükakyüz, mbrëmjen e ka kaluar në Hatay, në afërsi të kufirit me Sirinë.

Ai rikujtoi se njësitet turke të cilat në Idlib gjenden për të siguruar armëpushimin, të parandalojnë migrimin dhe të përfundojnë dramën njerëzore kanë qenë shënjestër e një sulmi të pabesë ajror, duke shtuar se në këtë sulm janë martirizuar 33 ushtarë si dhe janë plagosur 32 të tjerë.

Akar duke njoftuar rreth zhvillimeve tha se: "Pavarësisht se vendet ku gjenden njësitet tona janë koordinuar paraprakisht me zyrtarët e Federatës Ruse në terren, ka ndodhur ky sulm. Krahas paralajmërimeve pas sulmeve të para, regjimi sirian vazhdoi sulmet vdekjeprurëse, duke synuar edhe ambulancat. Asnjë grup i armatosur nuk ishte rreth trupave turke gjatë sulmit në fjalë". 

"Janë goditur nga toka dhe ajri mbi 200 shënjestra të regjimit të Assadit në Idlib të Sirisë pas sulmit të pabesë. Si rezultat janë neutralizuar 5 helikopterë, 23 tanke, 23 artileri dhe obusë, nga një sistem mbrojtës ajror SA-17 dhe SA-22 si dhe 309 ushtarë të regjimit. Aktivitetet tona vazhdojnë ashtu siç janë planifikuar", tha ministri Akar.

Ai në fund të fjalës së tij u shprehu ngushëllime familjeve të martirëve si dhe shërim të shpejt të plagosurve.